Secondary Adv

Rreth 493 mld lekë jashtë bankave, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë

Gati 493 miliardë lekë po qarkullojnë jashtë sistemit bankar, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.


Pavarësisht digjitalizimit dhe shtimit të pagesave online, përsëri cash-i dominon ekonominë, duke u kthyer në një sfidë për realizimin edhe të programit ‘cashless 2030’, që synon uljen e pagesave fizike dhe fuqizimin e atyre elektronike.


Në epokën e pagesave me një klikim, kartave dhe aplikacioneve bankare, shqiptarët ende zgjidhje të parë kanë pagesat me lekë në dorë.


Shifrat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të majit paraja që qarkullonte jashtë bankave arriti në 493 miliardë e 873 milionë lekë ose afro 5.2 miliardë euro me kursin aktual.


Kjo është vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë, dhe për herë të parë është kapërcyer pragu i 490 miliardëve. Në krahasim me majin e vitit të kaluar paraja cash është rritur me 59.8 miliardë lekë ose 635 milionë euro.


Paraja jashtë bankave

Maj 2025 493.8 mld lekë

Maj 2026 434 mld lekë

Diferenca +59.8 mld lekë


Kjo ‘traditë’ e pagesave me lekë në dorë ka ardhur çdo vit e në rritje. Shifrat zyrtare tregojnë se brenda një dekade volumi i parave që qarkullojnë jashtë bankave është më shumë se 2-fishuar.


Për të reduktuar cash-in në ekonomi, përveç tavanit të caktuar për herë të parë këtë vit për qytetarët që nuk mund të bëjnë blerje me vlerë më të madhe se 5 mijë euro në cash, apo bizneset që u ul nga 1500 euro në jo më shumë se 1 mijë euro, nga 1 qershori strukturat akomoduese dhe institucionet apo shoqëritë publike kanë nisur të ofrojnë si opsion edhe pagesën me kartë për shërbimet që ato ofrojnë.


‘Lufta’ ndaj parasë cash bëhet për të ulur informalitetin, për të reduktuar fenomenin e pastrimit të parave, dhe do të shoqërohet edhe me hetime për justifikimin e pasurisë, pasi shpesh pas pagesave me para në dorë fshihen edhe burimet e paligjshme të të ardhurave.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat